HERSTORY

E themeluar në 1994 si Qendra e Gruas, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim është një organizatë jopartiake dhe jofitimprurëse me mbi 20 vite eksperiencë në hulumtim, edukim publik, asistencë për zhvillim kapacitetesh, monitorim, dhe advokaci. QAGJZH promovon zhvillimin demokratik dhe qeverisjen e mirë me fokus të veçantë tek barazia gjinore dhe përfshirja sociale.

QAGJZH është një OSHC lider në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore, e njohur për rolin e saj në ngritjen e çështjeve thelbësore të lidhura me të drejtat e grave dhe përfshirjen sociale. Ne adresojmë çështje kyçe si dhuna me bazë gjinore dhe trafikimi i qenieve njerëzore, apo fuqizimi ekonomik i grupeve të cenueshme dhe advokojmë për legjislacion dhe politika kyçe, si Ligji “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, si dhe për futjen e buxhetimit gjinor në nivel të qeverisjes vendore dhe qendrore. Puna jonë ka sjellë përmirësime të konsiderueshme në adresimin e pabarazisë gjinore dhe përjashtimit social të grupeve të cenueshme në vend. Që kur është themeluar, QAGJZH ka zbatuar mbi 100 projekte që kanë ndikuar në jetën e mijëra përfituesve në mbarë Shqipërinë.

QAGJZH ka një historik bashkëpunimesh të suksesshme me aktorë të ndryshëm, duke përfshirë një gamë të gjerë OSHC-sh shqiptare dhe rrjetesh të OSHC-ve, institucione publike në nivel qendror dhe vendor, organizata dhe rrjete rajonale e ndërkombëtare, sektorin privat, mediat dhe sferën akademike. Partnerët kyç të QAGJZH-së ndër vite përfshijnë: një numër të madh OJQ-sh që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, donatorë të ndryshëm dhe organe ndërkombëtare, institucione publike dhe private si bashki, ministri, institucione të ndryshme, Dhomën Amerikane të Tregtisë, sindikata, biznese, media etj. QAGJZH merr forcë gjithashtu nga rrjeti i saj i gjerë i ekspertëve dhe trajnerëve nga universitete, institucione qeveritare dhe OSHC në Tiranë e rajone të tjera.

QAGJZH ka ofruar gjerësisht asistencë për zhvillim kapacitetesh dhe trajnime për OSHC kombëtare e lokale me qëllimin për të forcuar dhe përmirësuar impaktin e tyre në nivel lokal dhe kombëtar. Rrjeti i gjerë i OSHC-ve me të cilat QAGJZH punon e ka shndërruar atë në një forcë transformuese dhe në një platformë për ndarjen e përvojave dhe transferimin e njohurive tek organizatat homologe në mbarë vendin.

Për më shumë se 20 vite, QAGJZH ka dhënë kontribute në shumë drejtime, të përmbledhura si më poshtë:

Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile. QAGJZH u ka ofruar mbështetje shumë OSHC-ve lokale për monitorimin dhe influencimin e agjendave dhe politikave lokale. QAGJZH ka mbështetur me krenari dhjetëra OSHC për t’u themeluar, për të krijuar sisteme menaxhimi, për të zhvilluar konstituenca, për t’u rrjetëzuar, ngritur fonde dhe advokuar. Kjo përfshin OSHC që janë tashmë në ballë të përpjekjeve për avancimin e barazisë gjinore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për fuqizimin e grupeve të cenueshme, të tilla si qendra “Vatra” në Vlorë, shoqata “Gratë në Pukë”, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri dhe Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme e për Demokraci të Qëndrueshme. Për dy organizatat e fundit, QAGJZH ka shërbyer si inkubator për dy vitet e para të jetës së tyre. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për OJQ-të, QAGJZH ka ndihmuar OSHC-të për ta kuptuar dhe zbatuar atë në jetën e përditshme. Në një rast tjetër, QAGJZH ka asistuar OSHC-të ‘grassroots’ dhe mediat për të promovuar dhe lehtësuar kërkesën publike për të drejtat ekonomike të grave, me fokus të veçantë tek komunitetet e cenueshme dhe të margjinalizuara në zonat rurale, informale dhe urbane. Kjo përfshiu ofrimin e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve të OSHC-ve lokale dhe të vogla për të ndikuar në agjendat politike lokale dhe kombëtare. QAGJZH u ka ofruar gjithashtu këtyre organizatave mundësi rrjetëzimi me organizata të ngjashme në qytete dhe shtete të tjera, për të zgjeruar rrjetet e tyre dhe për të ndarë përvojat e mësimet e nxjerra. Gjatë viteve 2000 – 2004,  QAGJZH me mbështetjen e ILO ka trajnuar 300 gra në mbarë Shqipërinë për të filluar biznese dhe përmirësuar aftësitë e tyre menaxhuese.

Avancimi i të drejtave njerëzore, mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore. Që në fillimet e veta, QAGJZH ka shërbyer si mbrojtëse dhe promovuese e të drejtave njerëzore politike, ekonomike dhe sociale të grave dhe vajzave shqiptare, dhe ka mbështetur nisma advokuese në të mirë të grupeve të tjera të përjashtuara sociale si të varfrit, romët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat LGBTI. Këtu përfshihet mbështetja publike dhe kontributi në aktivitetet e organizatës PRO LGBT dhe Aleancës kundër Diskriminimit të Personave LGBT. QAGJZH shërben si aktor dhe partner i rëndësishëm brenda Shqipërisë dhe më gjerë në rajon në nismat për të luftuar dhunën me bazë gjinore, për të promovuar të drejtat ekonomike të grave dhe burrave në shoqërinë shqiptare, mbështet barazinë dhe drejtësinë gjinore, respektimin e diversitetit dhe mosdiskriminimin në ofrimin e shërbimeve publike, si dhe inkurajon qeverisjen e mirë.

Sigurimi i angazhimit të gjerë qytetar në zhvillimin demokratik. QAGJZH e ka zgjeruar punën e saj duke përfshirë pjesëmarrjen qytetare në sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe qeverisjen e mirë, duke përfshirë përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike. Në 2013-ën, QAGJZH krijoi Koalicionin për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme. 350 qytetarë monitoruan zgjedhjet e 2013-ës, ndërsa në 2014-ën, 550 vëzhgues monitoruan ofrimin e shërbimeve shëndetësore në 12 qarqet e Shqipërisë dhe sollën rekomandime për përmirësimin e këtyre shërbimeve. Koalicioni ka monitoruar gjithashtu zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, me 1000 monitorues të shpërndarë në mënyrë rastësore në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, QAGJZH po punon në 10 bashki për të angazhuar qytetarët dhe përfaqësuesit e OSHC-ve në vlerësimin e performancës së qeverisjes vendore.

Menaxhimi i programeve të mesme dhe të mëdha të financuara nga donatorë. QAGJZH ka menaxhuar programe të zhvillimit të kapaciteteve, advokacisë dhe edukimit publik të financuara nga pothuajse të gjithë donatorët që mbështesin zhvillimin e shoqërisë civile, zhvillimin demokratik dhe qeverisjen e mirë në Shqipëri. Për shembull, gjatë viteve 2007 - 2011, QAGJZH zbatoi projektin “Barazia në Qeverisje” të financuar nga ADA, ndërsa në periudhën 2005 - 2008, QAGJZH zbatoi Projektin e Ngritjes së Kapaciteteve Institucionale, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Fondacioni Soros). QAGJZH ka marrë vlerësime shumë të mira nga përfitues të OSHC-ve dhe donatorë që kanë mbështetur punën e saj. Këtu mund të përmendim Znj. Zineb Toumi Benjollun, ish-Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, e cila ka thënë: “QAGJZH është një organizatë lider e shoqërisë civile në Shqipëri e cila mbështet të drejtat e njeriut dhe demokracinë.”

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list