GADC zhvillon takim informues me gra punëtore të sektorit fason në Shkodër

Më 27 qershor 2026, Gender Alliance for Development Center (GADC) zhvilloi në Shkodër një takim informues me 25 gra të punësuara në sektorin fason, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat në punë dhe promovimin e kushteve më të sigurta dhe më dinjitoze të punës.

Takimi u fokusua në çështje që lidhen me kontratat e punës, pagat, sigurinë dhe shëndetin në punë, mbrojtjen e grave shtatzëna dhe nënave të reja, lejen e lindjes dhe lejen prindërore, si edhe mekanizmat ekzistues për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punës. Pjesëmarrëset u informuan gjithashtu mbi mbështetjen që ofrohet përmes numrit jeshil pa pagesë të GADC-së (0800 18 18), Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas (FLAS).

Gjatë diskutimeve, gratë ndanë përvojat e tyre nga mjedisi i punës dhe ngritën pyetje që lidhen me kushtet e punësimit, të drejtat gjatë shtatzënisë, sigurinë në vendin e punës dhe zbatimin praktik të legjislacionit të punës. U vu re një interes i lartë për të kuptuar më mirë mekanizmat ligjorë dhe institucionalë që ofrojnë mbrojtje për punëtorët, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të shkeljes së të drejtave të tyre.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë dhe shëndetit në punë. Pjesëmarrëset diskutuan mbi ekspozimin ndaj kimikateve dhe materialeve të përdorura në proceset e prodhimit, rëndësinë e kushteve të sigurta të punës dhe nevojën për monitorim të vazhdueshëm të shëndetit të punonjëseve. Gjithashtu, u diskutua rëndësia e trajnimit dhe kualifikimit të grave për përdorimin e teknologjive të reja, si një element që ndikon si në ruajtjen e vendeve të punës, ashtu edhe në përmirësimin e kushteve të punës.

Takimi konfirmoi nevojën për informim të vazhdueshëm dhe praktik mbi të drejtat e grave në tregun e punës, duke krijuar një hapësirë ku pjesëmarrëset jo vetëm morën informacion, por edhe ndanë përvoja, ngritën shqetësime konkrete dhe diskutuan mënyrat për të kërkuar mbështetje kur të drejtat e tyre cenohen.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit "Furthering Women's Labour Rights and Protection, with a Special Focus on Women Workers in the Garment Sector", me mbështetjen e Olof Palme International Center (OPC).

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list