Activities
GADC organizon tryezë konsultuese me institucionet kyçe për të drejtat e punës dhe zinxhirët globalë të furnizimit
Më 13 maj 2026, Gender Alliance for Development Center (GADC) organizoi një tryezë konsultuese me aktorët kryesorë institucionalë dhe të shoqërisë civile në kuadër të realizimit të një dokumentari investigativ nga televizioni publik gjerman ARD, i cili trajton të drejtat e punës, zinxhirët globalë të furnizimit dhe format e shfrytëzimit në tregun e punës në Shqipëri.
Në takim morën pjesë 14 përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, ndër të cilët Avokati i Popullit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), si dhe aktorë të tjerë të angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve.
Tryeza shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu për të diskutuar zbatimin e legjislacionit të punës, sfidat me të cilat përballen gratë dhe punëtorët migrantë, përgjegjësitë institucionale, si edhe mekanizmat ekzistues për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me standardet e punës, aksesin në drejtësi, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nevojën për koordinim më të madh mes institucioneve përgjegjëse.
Përmes organizimit të kësaj tryeze, GADC kontribuoi në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve publike, shoqërisë civile dhe medias ndërkombëtare, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e perspektivave dhe identifikimin e sfidave që ndikojnë në mbrojtjen efektive të të drejtave të punës në Shqipëri.
Dokumentari investigativ u transmetua më 26 qershor 2026 në televizionin publik gjerman ARD, duke sjellë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar realitetin e punës në industrinë shqiptare të veshjeve, sfidat e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rëndësinë e përgjegjshmërisë institucionale dhe të kompanive në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të GADC për të promovuar standarde më të larta të punës, transparencë, bashkëpunim ndërinstitucional dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, veçanërisht të grave dhe grupeve të tjera në nevojë për mbrojtje.
GADC
Research and Papers






