Take Action
Takim mbi Pagën e Jetesës dhe të Drejtat e Grave në Punë Shkoder
Më 6 nëntor 2024, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) zhvilloi një takim me gratë punonjëse të fabrikës “Madish” në Shkodër, e cila operon në sektorin e prodhimit të veshjeve. Ky aktivitet u organizua në kuadër të përpjekjeve për të promovuar punë të denjë dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e pagës së jetesës si një e drejtë themelore për çdo punonjëse.
Në qendër të diskutimit ishte koncepti i pagës së jetesës – një pagë që mbulon jo vetëm nevojat bazë si ushqimi, strehimi, dhe kujdesi shëndetësor, por që garanton edhe një standard jetese të dinjitetshëm dhe mundësi për stabilitet dhe kursime minimale. Gratë ndanë përvoja nga puna e përditshme dhe theksuan se pagat aktuale nuk përputhen me realitetin e kostos së jetesës në vend. Paga e jetesës u vlerësua si një kërkesë konkrete, e domosdoshme dhe plotësisht e arsyeshme për t’u përfshirë në agjendat e punëdhënësve dhe institucioneve.
Takimi adresoi gjithashtu edhe një sërë çështjesh të tjera me të cilat gratë përballen në vendin e punës, përfshirë:
- sëmundjet profesionale dhe ndikimin afatgjatë në shëndet
- mungesën e mbrojtjes për gratë shtatzëna dhe nënat e reja
- puna në turne nate dhe mungesa e fleksibilitetit në orarin e punës
- pamundësia për të përfituar leje prindërore ose shfrytëzuar raportet mjekësore për fëmijët
- diskriminimi në pagesë dhe trajtim mes punonjëseve të reja dhe atyre me përvojë
- mungesa e sigurisë në punë dhe pasiguria për të ardhmen ekonomike
Gjatë bisedës, pjesëmarrëset theksuan nevojën për organizim dhe mbështetje të ndërsjellë mes grave në vendin e punës. Vetëm përmes solidaritetit dhe ngritjes kolektive të zërit mund të kërkohet dhe arrihet përmirësimi i kushteve të punës dhe realizimi i të drejtave që u takojnë.
Ky aktivitet është pjesë e punës afatgjatë të GADC për të promovuar barazinë gjinore në tregun e punës dhe për të shtyrë përpara njohjen e pagës së jetesës si një element kyç i punës së denjë për gratë në Shqipëri.
GADC
Research and Papers






