Activities
Gratë në Politikë dhe Zgjedhje: Sfida të Përfaqësimit dhe Dhuna ndaj Grave në Politikë
Më 28 mars 2025, në ambientet e Hotel Rogner në Tiranë, u organizua aktiviteti “Gratë në Politikë dhe Zgjedhje: Sfida të Përfaqësimit dhe Dhuna ndaj Grave në Politikë”, i cili solli së bashku deputete, kandidate për deputete, përfaqësues institucionesh mbikëqyrëse dhe organizata të shoqërisë civile për të diskutuar në thellësi mbi pengesat strukturore dhe kulturore me të cilat përballen gratë në politikë, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore.
Objektivat e aktivitetit përfshinë:
- Adresimin e sfidave të përfaqësimit të grave në politikë;
- Prezantimin e platformës https://stopvawp.al/ si mjet për denoncimin e dhunës ndaj grave në politikë;
- Evidentimin e formave të dhunës, përfshirë dhunën digjitale;
- Analizën e rolit të institucioneve dhe shoqërisë civile në mbrojtjen e grave nga dhuna politike;
- Propozimin e masave konkrete për të ndërtuar një mjedis zgjedhor më të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga:
- Z. Ilirjan Celibashi, Kryetar i KQZ-së
- Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e AMA
- Znj. Vilma Shurdha, përfaqësuese nga Avokati i Popullit
- Znj. Brunilda Menalla, përfaqësuese nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Paneli kryesor mblodhi zëra të rëndësishëm të politikës dhe shoqërisë civile, duke përfshirë:
- Znj. Valbona Kuko – WFD Shqipëri
- Znj. Milva Ekonomi – Partia Socialiste
- Znj. Albana Vokshi – Partia Demokratike
- Znj. Brunilda Haxhiu – Partia e Lirisë
- Znj. Oriola Pampuri – Partia Euro-Atlantike
- Znj. Dorina Prethi – Partia Shqipëria Bëhet
Diskutimi u moderua nga Mirela Arqimandriti, Drejtore Ekzekutive e GADC.
Gjatë sesionit u ndanë përvoja konkrete të grave që janë përballur me forma të ndryshme të dhunës në politikë, përfshirë gjuhën denigruese dhe sulmet në rrjetet sociale. Pjesëmarrësit theksuan mungesën e mekanizmave të besueshëm për raportim dhe mbrojtje, si dhe nevojën për rritjen e presionit publik dhe institucional për të garantuar barazi gjinore në zgjedhje.
Në përfundim të aktivitetit, u ndanë rekomandime për një proces zgjedhor më të drejtë dhe më të barabartë, si:
- Përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e grave nga dhuna politike;
- Forcimi i mekanizmave të reagimit nga institucionet publike;
- Rritja e mbështetjes për gratë kandidate në nivel lokal dhe kombëtar;
- Zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e përfaqësimit gjinor në politikë.
Ky aktivitet u organizua nga GADC në kuadër të projektit “Ndërtimi i integritetit zgjedhor dhe qëndrueshmërisë së partive politike”, zbatuar nga Westminster Foundation for Democracy (WFD) dhe mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë përmes FCDO.
GADC
Research and Papers
