Activities
Tubim paqësor nga Koalicioni për të Drejtat në Punë në 1 Maj
Koalicioni për të Drejtat në Punë, i cili përbëhet nga organizata të shoqërisë civile dhe sindikata, pjesë e të cilit është edhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, organizoi një tubim paqësor në pedonalen “Murat Toptani” në 1 Maj 2023, në përmbushje të misionit të tij për të promovuar dhe mbështetur të drejtat në punë, dialogun social dhe punën e denjë në të gjithë sektorët e ekonomisë në Shqipëri.
Tubimi paqësor u mbajt nën sloganin "Punonjës: Zgjohu! Solidarizohu! Kërko të Drejtën!" dhe kishte për qëllim të zgjonte ndërgjegjen qytetare të punonjësve, për të lobuar që zëri i tyre të dëgjohet dhe për të nxitur ndryshime në politika dhe ligje që do të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Koalicioni ishte i pranishëm në këtë tubim për të dëgjuar dhe mbështetur punonjësit, të cilët ndanë historitë e tyre personale, mesazhet dhe kërkesat për institucionet përkatëse në këtë ditë përkujtimi të përpjekjeve dhe sfidave që punonjësit/punëtorët kanë hasur ndër vite në vendin e punës.
Gjithashtu, Koalicioni për të Drejtat në Punë i drejtoi një thirrje publike kryeministrit të vendit, z. Edi Rama, duke i kërkuar që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të adresuar shqetësimet e punonjësve dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të tyre në vendin e punës. Thirrja përfshinte kërkesa të ndryshme, si përllogaritjen dhe vendosjen e minimumit jetik nga shteti shqiptar, dhe sigurimin e kushteve të punës të sigurta dhe të shëndetshme, reformimin e institucioneve të punës në Shqipëri, si dhe ndërtimin e një mjedisi të ndershëm pune dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe sindikatave.
Këtë thirrje publike, Koalicioni e bëri në përgjigje të nevojave dhe sfidave që kanë hasur punonjësit në Shqipëri, dhe në përkrahje të misionit të tij për të promovuar dhe mbështetur të drejtat në punë dhe punën e denjë në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Pjesë e koalicionit janë organizata të shoqërisë civile dhe sindikata si më poshtë:
Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR.AL
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë, SKOT
Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor
Sindikata e Sektorit Hidrokarbur
Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë
Drejtësi Sociale
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome
GADC
Research and Papers
